Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në Ditën e Shahut në Durrës, një aktivitet sportiv i organizuar nga Federata Shqiptare e Shahut dhe Bashkia e Durrësit në sheshin Liria. Gjatë kësaj dite shahu janë organizuar një sërë aktivitetesh si: Kampionati i katërt Kombëtar i Shahut  për shkollat 9-vjeçare, simultane me Mjeshtrat Ndërkombëtarë Fatos Muço dhe Ilir Seitaj, lojëra shahistike amatore nga nxënësit e shkollave dhe përfaqësues të institucioneve të qytetit, ekspozitë dhe performancë  figurative nga shkolla Jan Kukuzeli dhe një konkurs me foto-video montazh rreth historikut të shahut në Durrës nga shkollat e mesme të qytetit. Në këtë aktivitet kryebashkiaku Dako deklaroi se festa të tilla sportive do të kthehen traditë në qytet dhe se tradita e e shkëlqyer e Durrësit në sportin e shahut do të vazhdojë nëpërmjet talenteve të rinj:

“Jam shumë i kënaqur që organizojmë një aktivitet kaq të bukur dhe të rëndësishëm në këtë shesh. Bashkia e Durrësit ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha sportet ashtu edhe sportin e shahut të cilin do ta mbështesim për ta kthyer në një sport sa më masiv sepse duam ta vazhdojmë ta mbajmë traditën e kampionit që ka Durrësi në këtë sport duke patur parasysh edhe emrat e mëdhenj si Fatos Muça që kanë ngritur lart emrin e Durrësit në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Kam besim të plotë se nga Durrësi do të dalin të tjerë talente dhe kampionë pasi kanë me vete traditën e këtij sporti dhe janë këta talente që do ta nderojnë emrin e Durrësit nëpërmjet këtij sporti.” 

Kampionati kombëtar i shahut për fëmijë zhvillohet për të katërtin vit radhazi nga FSHSH. Nisur nga fakti i traditës së suksesit të Durrësit në shah, si dhe nevojës për rimëkëmbjen  e shahut në Durrës për rikthimin dhe rilindjen e traditës, finalet e Kampionatit  u zhvilluan  në sheshin kryesor të qytetit  dhe kjo ditë u kthye në një festë shahistike. Loja e shahut tashmë është prioritet i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për t’u futur në të gjitha shkollat e vendit si pjesë e programeve edukative të saj.