Në kuadër të projekti: “Demokracia vendore si bashkëveprim i komunitetit qytetar me pushtetin lokal” të financuar nga AMSHC, Qendra e Studimeve “Shqipëria Europiane” organizoi në qytetin e Durrësit në sallën e Odeonit “Nikolin Xhoja” të pallatit të kulturës së këtij qyteti forumin: “Pushteti vendor dhe vendimmarrja”. Projekti u realizua në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe me ndihmesën e posaçme të kryetarit të saj z. Vangjush Dako.

Forumi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi mes një paneli që përbëhej nga kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, prefekti i qytetit, Roland Xhelilaj, pedagogu i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Met Dervishi, gazetari dhe dramaturgu e shkrimtari Bashkim Hoxha dhe i ftuar nga Tirana analisti i njohur dhe autori i disa librave me publicistikë Andrea Stefani. Forumin e drejtonte gazetari Ilir Yzeiri që është njëkohësisht edhe drejtori qendrës “Shqipëria Europiane”. Merrnin pjesë gjithashtu gazetarët e qytetit të Durrësit dhe qytetarë të qytetit bregdetar.

Moderatori i forumit paraqiti tematikat e diskutimit dhe në fillim e mori fjalën kryetari i Bashkisë, z. Vangjush Dako, i cili bëri një panoramë të zgjeruar të ndryshimeve që ka pësuar funksionimi i qeverisjes vendore pas realizimit të reformës për ndarjen e re territoriale. Pastaj prefektii qytetit  z. Roland Xhelilaj theksoi impaktin e ri që ka prefektura pas kësaj reforme. Bashkim Hoxha u ndal te ruajtja në vendimmarrje e identitetit që ka qyteti i Durrësit në mënyrë që zhvillimi të orientohet drejt të turizimit, lundrimit dhe kulturës për të vitalizuar si objektet e vjetra dhe për të mbështetur talentet dhe jetën kultuorore e sportive në qytet. Met Dervishi e vuri theksin te kriteri politik i qeverisjes vendore. Ndërsa Andrea Stefani theksoi rritjen e frymës qytetare për të diktuar vendimmarjen politike, për të shmangur korrupsionin dhe klientelizmin dhe për të rritur shpirtin e komunitetit.

Ai tha se duhet të marrin jetë organizimet e vogla deri edhe në bazë pallati apo grupe rezidenciale dhe se ligji për banesat publike i hartuar vite më parë duhet të zbatohet. Nga të pranishmit u bënë shumë pyetje e diskutime dhe u kërkua sidomos që të kuptohej më mirë se si do të hartohej buxheti i Bashkisë dhe se çfarë ndryshimi do të kishte ai tani pas hyrjes në fuqi të ligjit për ndarjen e re territoriale.

Kryetari i Bashkisë z. Vangjush Dako theksoi se buxheti i Bashkisë do të vazhdojë të jetë jo në ato nivele që kërkon një qytet me mbi 300 mijë banorë si Durrësi, por ai përmendi aty disa nga investimet e rëndësishme që do të realizohen në qytet dhe përsëriti sidomos angazhimin e tij dhe të Bashkisë së Durrësit për të ulur në masën 30 % taksën e pasurisë për bizneset i cili ishte një premtim që kryebashkiaku Dako e ka bërë gjatë fushatës elektorale e që tashmë do të përmbushet.