Më shumë dashuri dhe më shumë vëmendje në këtë fundviti për njerëzit në nevojë. Me këtë mesazh, u organizuan 28 aktivitete festive në 28 institucione të Përkujdesit Social në të gjithë vendin, të zhvilluara nën kujdesin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe me mbështetjen e bizneseve, mediave dhe personaliteteve të njohura në fusha të ndryshme në vend. Për këtë qëllim, 28 figura të shquara në sferën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore ishin pranishëm në një nga 28 institucionet për të festuar me njerëzit që banojnë në to, duke e konsideruar këtë ditë si fillimin e një viti të ri, nën frymën e solidaritetit për njerëzit më në nevojë. Kryeministri Edi Rama përcolli urimet e tij për festat nga Qendra e Zhvillimit në Durrës, e cila i përkushton shërbimin e saj fëmijëve me aftësi të kufizuara. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama ka falenderuar fillimisht ata që bëjnë të mundur që këto qendra të funksionojnë çdo ditë, ndërsa vlerësoi se mbetet ende shumë për t’u bërë në drejtim të luftës kundër diskriminimit të këtyre shtresave, si dhe në integrimin e plotë të tyre në shoqëri: “Janë dy gjëra të rëndësishme për t’u nënvizuar, që janë dhe njëkohësisht dy objektiva të qeverisë sonë, por besoj janë dhe qëllime të mira në përgjithësi të shoqërisë. Lufta ndaj diskriminimit kundrejt personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, apo private dhe sidomos kur vjen fjala tek punësimi i merituar, apo arsimimi i domosdoshëm i tyre, si dhe aksesi në shërbime. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, jemi në një situatë dramatike të trashëguar vit pas viti, sepse rezulton që 64% e fëmijëve me aftësi të kufizuara të moshës shkollore, nuk e frekuentojnë arsimin e detyrueshëm dhe sigurisht nuk jemi një rast unikal. Në botë janë rreth 93 milionë fëmijë të grupmoshës nga 0-14 vjeç me aftësi të kufizuara që nuk kanë akses, ose që kanë një normë shumë të ulët regjistrimi në shkollë”, tha kryeministri Rama.  Ministri Blendi Klosi deklaroi se MMSR kërkon që këtë festë ta kthejë në një traditë për çdo fundvit, ku njerëzit në nevojë të kenë mundësi që ashtu si edhe e gjithë shoqëria të ndjejnë atmosferën festive: “Pra, së bashku me mbështetës të ndryshëm, ne kërkojmë të krijojmë një traditë që të përsëritet çdo vit”, shtoi Klosi. Ai falenderoi gjithashtu të gjitha ato biznese që e mbështetën këtë nismë, si dhe personalitetet e jetës politike, kulturore dhe artistike që iu bashkëngjitën këtyre festimeve. Kryebashkiaku Vangjush Dako në përshëndetjen e tij theksoi se qëllimi i këtyre aktiviteteve, përveçse të krijojnë një ambient sa më të ngrohtë për të gjithë banorët e këtyre qendrave, ka të bëjë me sensibilizimin e të gjithë shoqërisë dhe gjithë aktorëve të fushës, për të qenë më solidarë dhe për të kontribuar që jeta e tyre të bëhet sa më e lehtë dhe e pranuar nga të tjerët.  Qëllimi i organizimit të kësaj dite ishte sigurimi i një mjedisi festiv dhe kujdesi për njerëzit në nevojë, që aktualisht jetojnë në 28 institucionet publike, si dhe sensibilizimi i gjithë shoqërisë për të kontribuar përmes veprimeve vullnetare për mirëqenien e njerëzve në nevojë dhe për të treguar solidaritet jo vetëm gjatë festimeve, por gjatë gjithë vitit.