Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim anëtarë të Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi. Në këtë takim kanë marrë pjesë anëtarët më të mëdhenj të kësaj ode që janë përfaqësues të disa prej kompanive më të rëndësishme që zhvillojnë aktivitetin në Maqedoni e Turqi. Në këtë takim është biseduar gjerësisht në lidhje me zgjerimin e hapësirave të bashkëpunimit ekonomik midis këtyre dy shteteve dhe Shqipërisë dhe nxitjen e investimeve edhe më të mëdha nga këto dy shtete në vendin tonë e konkretisht në Durrës. Pjesëmarrësit në takim përveç interesimit për të investuar në vendin tonë janë shprehur për një nxitje të investimeve të biznesit shqiptar në këto dy shtete në kuadër të zgjerimit të hapësirave bashkëpunuese. Kryebashkiaku Dako nga ana e tij pasi i ka bërë pjesëmarrësve një përshkrim të resurseve të qytetit të Durrësit në të gjitha fushat është ndalur konkretisht dhe ka bashkëbiseduar me pjesëmarrësit në takim në lidhje me zgjerimin e hapësirave bashkëpunuese dhe thithjen e investimeve nga këto dy shtete në turizëm, tregti dhe në fusha të tjera. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se përmirësimi i klimës së biznesit si dhe thithja e investimeve të huaja mbeten prioritetet më të rëndësishme të politikave të Bashkisë Durrës, si një parakusht për zhvillimin e sipërmarrjes, krijimin e një ambjenti të lirë konkurrues, zgjerimin e tregut dhe rritjen e punësimit.  Bashkia e Durrësit i ka krijuar lehtësi biznesit duke krijuar një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e tij heqjen e barrierave burokratike, sistemin ose stop shop, transparencën maksimale në punën e administratës së bashkisë dhe promovimin e resurseve ekonomike që ofron Durrësi kundrejt investitorëve të huaj.