Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryebashkiaku i Shijakut Ardian Kokomani dhe kryebashkiaku i Vorës Fiqiri Ismaili kanë marrë pjesë në prezantimin e fillimit të procesit të hartimit të planit të përgjithshëm vendor për qytetet e Durrësit, Shijakut e Vorës. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësuesit e studiove fituese si dhe urbanistë e arkitektë. Studiot që janë shpallur fituese janë Dogma, Latitude, Milan Ingegneria dhe Studio B&L. Ato do të hartojnë planin e përgjithshëm vendor për të gjithë këtë zonë tepër të rëndësishme të vendit. Studiot kanë një eksperiencë mjaft të madhe në këtë drejtim duke punuar në shumë shtete të botës. Studiot Dogma dhe Latitude janë me seli në Bruksel, Milan Ingegneria në Milano dhe studio B&L me seli në Tiranë. Ky proces i hartimit të planit të përgjithshëm vendor që sapo nisi do të zgjasë për rreth katër muaj. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka kërkuar nga studiot përkatëse që plani të jetë transparent, i konsultuar gjerësisht me publikun dhe të bazohet në normativat perëndimore: “Ky plan është mjaft i rëndësishëm dhe ai nuk i ndan por i bashkon të trija qytetet gjë që do të nxjerrë në pah potencialin e zhvillimit të të gjithë kësaj zone të rëndësishme ekonmike të vendit tonë në dobi të qytetarëve. Unë dua të falenderoj qeverinë shqiptare për kryerjen në kohë shumë të shpejtë të proceduarve përkatëse që i hapën rrugë hartimit të planeve të përgjithshme vendore që do ti shërbejnë zhvillimit të qyteteve tona. Unë do të kërkoja nga studiot përkatëse që plani të jetë i ndershëm, transparent e i konsultuar gjerësisht me publikun, të merren parasysh kërkesat e të gjitha grupeve të interesit që të jetë një plan sa më i vlefshëm për qytetin por mbi të gjitha të jetë një plan i bazuar në normativat e shkollës perëndimore.” Edhe kryetarët e bashkive të Vorës e Shijakut kanë vlerësuar maksimalisht këtë proces që i shërben zhvillimit të ardhshëm të të trija këtyre qyteteve. Përfaqësuesit e firmave fituese që do të hartojnë planin e përgjithshëm vendor për qytetet e Durrësit, Vorës e Shijakut deklaruan se ky nuk është një plan për një zonë të vogël por për një zonë të madhe metropolitane që do të përcaktojë të ardhmen e këtyre qyteteve dhe mënyrën si ato do të zhvillohen. Po kështu ky plan do të hartohet në konsultim të vazhdueshëm me publikun e gjerë dhe me të gjitha grupet e interesit.