Printo

Bashkia e Durrësit ka prezantuar në një dëgjesë publikë strategjinë e planifikimit të territrit 2015-2030. Në këtë dëgjesë kanë marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ambasadori zviceran në Shqipëri Christof Graf, arkitektë, urbanistë, ambientalistë, anëtarë të këshillit bashkiak, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve vendore e qëndrore, përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe qytetarë të Durrësit që kanë zhvilluar një dialog mbi përparësitë dhe investimet e parashikuara për bashkinë e sapozgjeruar. Në këtë dëgjesë Bashkia e Durrësit paraqiti dhe diskutoi një strategji të re territoriale të dizenjuar me mbështetje nga Programi i financuar nga Zvicra për Decentralizimin dhe Zhvillimin Vendor (DLDP) dhe me ndihmesën e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim(CDI). Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako foli mbi planet e ardhshme të zhvillimit për Durrësin. Ai deklaroi se vizioni afatgjatë i kësaj strategjie është që Durrësi do të rimarrë rolin e tij historik si platformë shkëmbimesh rajonale ndërsa vizioni afatshkurtër është shndërrimi i Durrësit në një qendër zhvillimi ekonomik tërheqëse për investimet e huaja si dhe shndërrimi në një qendër urbane policentrike  që ofron shërbime cilësore ndaj qytetarëve të Durrësit dhe vizitorëve. Kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit e ndërton strategjinë e zhvillimit me banorët e Durrësit dhe në shërbim të tyre dhe është prioritet i Bashkisë komunikimi i rregullt me qytetarët dhe mbështetja e iniciativave qytetare për zhvillimin socio-ekonomik të qytetit. Kryebashkiaku Dako deklaroi se ne vazhdojmë me intensitet të lartë punën për të realizuar qëllimin tonë të Durrësit të së ardhmes. Ambasadori zviceran në Shqipëri Christof Graf, shteti i të cilit mbështet këtë strategji, në fjalën e tij ju referua dëgjesave publike si një nga instrumentet e dobishëm për të rritur dialogun dhe që lejon qytetarët të shprehin pikëpamjet dhe shqetësimet e tyre: “Unë përsëris këtu atë që kam thënë në disa raste së fundmi: që një demokraci funksionon vetëm kur banorët vendorë dhe autoritetet përfshihen në dialog, komunikojnë hapur dhe ndërveprojnë vazhdimisht. Një vendim-marrje që konsideron opinionin publik çon në rezultate më të mira në afat të gjatë.”

Strategjia territoriale doli nga koncepti i Zonave Funksionale i cili i sheh bashkitë jo vetëm nga pikëpamja administrative por edhe nga ajo zhvillimore e cila konsideron faktorë socialë, ekonomikë dhe rajonalë. Ekspertiza zvicerane mbështeti draftin e parë të strategjisë që më pas u adaptua nga Bashkia Durrës. Një listë projektesh e cila mund të implementohet në zonën e Durrësit u identifikua dhe u propozua nga DLDP dhe Bashkia e Durrësit. Kjo listë e cila përfshin opinionin e ekspertëve dhe institucioneve u diskutua edhe me qytetarët. Si strategjia ashtu dhe lista e projekteve u konsultuan në Ministrinë e Zhvillimit Urban, Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe ekspertë të pavarur. Strategjia territoriale u prezantua më pas nga drejtori urbanistik i Bashkisë së Durrësit Adhurim Qehajaj dhe më pas u diskutua me pjesëmarrësit në formë pyetjesh e komentesh. Historikisht Durrësi ka ndjekur evolucionin e fluksit të shkëmbimeve Evropë – Bizant / Lindje. Territori shqiptar është bërë relevant vetëm 100 vitet e fundit. Porti si platformë shkëmbimesh i ka ofruar qytetit flukset jetësore: mallra, energji, ujë, burime natyrore, ushqime etj. Qyteti i ka ofruar këtyre flukseve, shërbimet e nevojshme për aktivitetet ekonomike përkatëse. Bashkia e Re, i shton Qytetit-Port edhe territorin bujqësor si dhe disa minizona urbane. Synimet kryesore të kësaj strategjie janë:

Strategjia Urbane për Durrësin synon:

1) Rrashbulli si lagje e Durrësit: tashmë një fakt në terren;

2) Qyteza KIS (Katund i Ri – Sukth): krijon kontinuitet urban, sinergji, ulje shpenzimesh, etj

3) Pol sub-urban Shkafane – Kullë: përgjigje ndaj zhvillimit të Shkafanes dhe pozitës gjeografike të Kullës në qendër të akseve lidhës të Bashkisë së Re;

4) ish këneta, si zonë mbështetëse e Zonës Industriale Porto Romano: zonë e urbanizuar për banim e shërbime mbështetëse për 30,000 të punësuarit e ZIPR;

5) Shën Pjetër - Lalez: për turizëm cilësor

6) Kallmi si turizëm elitar dhe mushkëri e blertë e Durrësit

Strategjia e Turizmit ka këto synime:

1) Durresi: vitrina e Shqipërise për vizitorët e krocierave;

2) Mbrojtja dhe promovimi i parqeve natyrore / valorizimi i hinterlandit për vizitorët lokalë dhe kombëtarë;

3) Turizmi i detit dhe rërës: cilësor në Lalëz dhe Kallm dhe popullor në pjesën tjetër;

4) Mbrojtja dhe valorizimi i pasurisë historike dhe arkeologjike

Strategjia për Ekonominë:

1) thjeshtimi i procedurave të regjistrimit të ndërmarrjeve (one-stop-shop / dixhitalizimi / etj) dhe mbulimi i gjithë territorit me to;

2) kontekst fiskal avantazhues dhe logjistikë mbështetëse bashkëkohore sidomos në aksin Durana, Shkozet, ZIPR dhe PI Rrashbull;

3) ngritja e Qendrave të Mbështetjes për NVM dhe promovimin e tyre (fokusuar në shitje, marketing, networking, shërbime administrative / financiare, etj)

4) ngritja e strukturave pritëse speciale dhe procedurave fast-track për investitorët e mëdhenj.

Strategjia për Bujqësinë

Toka bujqesore zë rreth 70% të territorit të Bashkisë së Re. Strategjia synon:

1) ruajtjen e fondit të tokës bujqësore nëpërmjet bllokimit të lejeve të ndërtimit dhe regjistrimit;

2) rritjen e eficiences së aktiviteteve bujqësore, nëpërmjet rritjes së rendimenteve, specializimin në kultura me vlerë të lartë, kompletimi i zinxhirit të vlerës, etj;

3) Krijimin e tregjeve dhe rrugëve lidhëse për inkurajimin dhe mbështetjen e zinxhirit të vlerës të produkteve bujqësore drejt aktiviteteve me vlerë të shtuar të lartë 

Strategjia për Ujin

Durrësi është shumë i pasur me ujëra: deti, rezervuarët, lumenjtë, ujërat nëntokësore, por vuan nga problemet e ruajtjes dhe përdorimit eficient.

Strategjia synon:

1) mbrojtjen nga uji (vërshimet / erozioni lumor dhe detar / ngritje e nivelit të detit dhe ujërave nëntokësore;

2) promovimi i turizmit gjatë brigjeve ujore (det, lumej dhe rezervuare);

3) mbrojtja e ujërave nga ndotja;

4) furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm: projekti i BB)

Strategjia për Infrastrukturën

Bashkia Durrës është në kryqëzim të akseve infrastrukturore evropiane të transportit dhe energjisë.

Strategjia synon:

1) shndërrimin e Durrësit në një nyje shkëmbimi moderne ku ndërthuren akset infrastrukturore evropiane, rajonale dhe kombëtare, nëpërmjet: - promovimit dhe lobimit në Qeveri, Rajon dhe BE, dhe - ndërtimit të infrastrukturës plotësuese / lidhëse / mbështetëse përgjate akseve dhe nyjeve evropiane;

2) lidhja dhe shërbimi i territorit me infrastrukturë bashkëkohore

3) ofrimin e një infrastrukture moderne urbane për të gjithë qytetarët e Bashkisë 

Bashkia e Durrësit po e projekton të ardhmen e qytetit në nivel rajoni evropian ku prioritet do të jetë kontakti direkt me BE dhe me Komitetin Evropian të Rajoneve. Ajo do të ndërtojë strukturat, procedurat dhe ekipet përkatëse që do të mundësojnë vendosjen e Durrësit ne axhendën e zhvillimeve dhe projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare që në dizenjimin e tyre si dhe të krijojë procedurat fast-track për këto shërbime.