Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një vizitë zyrtare në qytetin e Shantou në Kinë i ftuar nga kryetari i Bashkisë së Shantou të provincës Guangdong të Kinës, Zheng Renhao. Gjithashtu në përbërje të delegacionit durrsak i kryesuar nga kryebashkiaku Dako ishin edhe zyrtarë të tjerë të lartë të bashkisë së Durrësit.

Në këtë takim të dy kryebashkiakët kanë diskutuar për hapat konkretë për forcimin e marrëdhënieve të përbashkëta midis Bashkisë së Durrësit dhe asaj të Shantou si edhe shkëmbimit të eksperiencave në fushën portuale, tregtisë dhe edukimit mes dy qyteteve. Zyrtarët kinezë shfaqën një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet përsa i përket veçanërisht portit dhe shkëmbimeve tregtare, sektorit ekonomik dhe atij të turizmit. 

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako pasi ka falenderuar kryebashkiakun e Shantou për ftesën fillimisht ka bërë një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik ku ka përshkruar rolin e rëndësishëm në ekonominë e të gjithë Shqipërisë të portit të Durrësit. 

Kryebashkiaku Dako është shprehur se Durrësi ka cfarë ti ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai ka kërkuar një nxitje më të madhe të investitorëve kinezë për të investuar në Durrës. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke i njohur zyrtarët kinezë me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj.  Dako  deklaroi se zhvillimi i mëtejshëm i turizmit është një prioritet i Bashkisë së Durrësit. 

Nga ana e tij kryetari i bashkisë Shantou, Zheng Renhao, ka biseduar gjatë me kryebashkiakun e Durrësit në lidhje më shumë fusha por kryesisht atë ekonomike ku mund të ngjallet edhe interesimi i investitorëve kinezë. Ai ka biseduar me kryebashkiakun Dako në lidhje me mundësitë konkrete që ofron Durrësi për nxitjen e investimeve kineze dhe sektorët ku mund të zhvillohen këto investime.

Më pas kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe kryebashkiaku i qytetit kinez të Shantou, Zheng Renhao kanë biseduar në lidhje me konkretizimin e memorandumit të bashkëpunimit midis dy qyteteve që është nënshkruar në Durrës me qëllim thellimin e marrëdhenieve reciproke dhe miqësore, për shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, shoqërisë, kulturës etj, si dhe rritjen e prosperitetit të përbashkët. 

Memorandumi i bashkëpunimit mes qytetit Shantou, Provinca Guangdong, Republika Popullore e Kinës dhe qytetit të Durrësit, Republika e Shqipërisë, për nxitjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve të mëtejshme përmban disa pika kryesore të cilat tashmë hynë në rrugën e konkretizimit ku të dyja palët bien dakort të vendosin marrëdhënie shkëmbimi miqësor për të thelluar bashkëpunimin mes qeverisjeve dhe popullsisë së dy qyteteve, dhe të kryejnë shkëmbimet reciproke të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe tregëtisë, shkencës dhe teknologjisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe turizmit, etj si dhe për të diskutuar më tej shkëmbimet reciproke të lartëpermendura dhe bashkëpunimin në sektorët e lartpërmendur, duke dërguar përfaqësues dhe duke bërë promocion. Me anë të këtij memorandumi të dyja palët kanë rënë dakort për të vendosur marrëdhënie miqësore të dy qyteteve  bazuar në nivele të ndryshme dhe në një gamë të gjërë shkëmbimi dhe bashkëpunimi për  të thelluar bashkëpunimin dhe për të rritur prosperitetin dhe progresin e përbashkët. 

Shantou është një nga 5 zonat speciale ekonomike të Kinës, një qytet port i rëndësishëm. Qyteti ka një sipërfaqe prej 2064  km2 dhe një popullsi prej 5.5 milion banorë. Shantou njihet edhe si “Meka Kulturore Bregdetare ” për shkak të trashëgimisë së madhe kulturore. Po kështu Shantou ka ambjent të shkëlqyer biznesi. Ai është një nga bazat më të mëdha të prodhimit të veshmbathjeve, një bazë e rëndësishme për prodhimin e lojrave, kozmetikës, prodhimeve artizanale, makinerive paketuese etj.