Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako së bashku me ministrin e Mirëqënies Sociale Blendi Klosi dhe ambasadoren e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin kanë marrë marrë në një sërë aktivitetesh sensibilizuese në kuadër të fushatës Unë Mbroj Fëmijët. Aktivitete të ndryshme janë zhvilluar në sheshin Liria të qytetit të organizuara nga shoqata dhe institucione që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Në këto aktivitete është përcjellë mesazhi kundër dhunës dhe çdo forme abuzimi. Pasi kanë vizituar stendat informuese në qendër të qytetit kryebashkiaku Dako dhe personalitetet e tjera kanë shkuar në Universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit ku është zhvilluar një takim me pedagogë e studentë ku është diskutuar lidhur me  atë që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së bashku me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, janë duke punuar për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe hartimin e politikave të reja në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, me qëllim për ta bërë sistemin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve sa më miqësor dhe efektiv. Në kuadër të fushtës Unë Mbroj Fëmijët dhe pikërisht në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur vëmendja e të gjithë shoqërisë përqendrohet te fëmijët dhe situata e tyre. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se mbrojtja e fëmijëve është një prioritet në punën e Bashkisë së Durrësit. Ai deklaroi se mbështet çdo përpjekje dhe bashkëpunim në përmirësim të cilësisë së jetës së fëmijëve, veçanërisht atyre që vijnë nga kategoritë më vulnerabël të shoqërisë. Kryebashkiaku Dako tha se këtë vit bashkia ka akorduar buxhetin më të madh për shërbime sociale dhe vitin e ardhshëm do të hapet edhe një qendër ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin gjatë aktiviteteve të organizuara në qytetin e Durrësit theksoi se mënyra si trajtohen fëmijët lë shenjë përgjithnjë jo vetëm në jetët e tyre, por dhe në shoqërinë shqiptare, ndaj shteti ka detyrim t’i mbështesë familjet, vecçanërisht ato në nevojë për t’i rritur në mënyrë sa më të mirë e të shëndetshme fëmijët e tyre. Vlahutin tha se vëmendja e të gjithëve duhet të jetë veccanërisht te fëmijët në situata të vështira dhe ata pa prindër, të cilët kanë nevojë për të gjithë institucionet. Ndërsa Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi tha se duhet një aleancë e gjerë për të ndërtuar një sistem më të fortë të mbrojtjes sociale në vend. Klosi përshëndeti reagimin e kryetarit të bashkisë së Durrësit dhe autoriteteve përkatëse për masat e marra mbi rastin e dhunës së ushtruar ndaj një fëmije në Shtëpinë e Foshnjes Durrës. Ndërkohë diplomatja Vlahutin siguroi se Shqipëria do të ketë mbështetjen e BE-së dhe të organizmave të tjerë ndërkombëtarë në angazhimet për mbrojtjen e fëmijëve jo vetëm me asistencë po dhe fonde. Gjatë konferencës në Durrës u bë dhe prezantimi i aplikacionit Unë Mbroj Fëmijët, si dhe nisma e Ministrisë së Arsimit për të përfshirë në kurrikulat shkollore informacionin mbi dhunën ndaj fëmijëve dhe raportimin e saj.