Kryeministri Edi Rama së bashku me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako kanë inspektuar punimet që po kryhen në zonën e Manzës për rehabilitimin e sistemit të ujitjes Tarin-Topana-Shkallë. Rezervuari i Tarinit ka një kapacitet prej 11.5 mln m3 ujë dhe  mbulon me vaditje 7 fshatra saktësisht në një sipërfaqe prej 3100 ha tokë dhe është në shërbim të 5800 fermerëve. Në këtë sistem ujitës po kryhen punimet për rehabilitimin e 22.7 km kanale primare dhe kanalet sekondare prej 30.8 km me vlerë totale investimi rreth 63 milion lekë. Më tej kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Vangjush Dako kanë zhvilluar një takim me fermerë të Manzës me të cilët kryeministri ka ndarë projektet e qeverisë së tij për transformimin e bujqësisë përmes sigurimit të një fondi kombëtar garancie për fermerët. Kryeministri Rama deklaroi se qeveria i del garant fermerëve për marrjen e kredive përmes të cilave mund të përballojnë nevojat. Sipas kryeministrit, fermerët duhet të ndërveprojmë mes tyre në mënyrë që të mos bie pre e grosistëve dhe të jenë të lirë të dalin në tregje të tjera veç atij të rrugës: “Më parë qeveria jepte lëmoshë me subvencione dhe buxheti i shtetit për sektorin bujqësor nuk i përballon dot nevojat as Gjermania në buxhetin e vet s’i përballon dot. Ndaj ka financimet private, çka i jep fermerit mundësinë të ketë shumë zgjedhje, dhe jo të presin do më vijë apo jo 5 lekëshi për ta shtyrë edhe këtë vit. Nga ana tjetër duhet të reformojmë sektorin duhet të nxisim bashkimin për interes, jo për imponim dhe ideologji. Fermerët prodhojnë më vete, por shesin të gjithë së bashku, ndërveprojnë, nuk bëhen pre e grosistëve, dalin nëpër tregje të tjera, dalin jashtë vendit. Bashkia duhet të shërbejë si ndërmjetës në këtë proces. Rëndësi ka të krijojmë këto kushte që të kemi mundësi financimi”, tha Rama. Po kështu kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Dako kanë inspektuar edhe punimet që janë në fazën përfundimtare për rikonstruksionin e rrugës Vrrin në fshatin Rinia i cili është një investim mjaft i rëndësishëm për banorët e kësaj zone. Kjo rrugë me vlerë rreth 81.3 milion lekë dhe gjatësi 5.5 kilometra është në përfundim dhe në fund të muajit tetor bëhet kolaudimi. Sipërfaqja e asfaltuar në këtë rrugë është 36 430 m2.