Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë Sanja Bujas Juraga, e cila shoqërohej nga drejtues të prefekturës, qarkut dhe këshillit bashkiak të qytetit të Rijekës. Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetarja e këshillit bashkiak të Rijekës Dorotea Pešić-Bukovac, Erik Fabijanić, president i këshillit të qarkut, deputetja e parlamentit kroat për minoritetin shqiptar Ermina Leskaj-Prljaskaj si dhe përfaqësues të portit të Rijekës dhe dhomës së tregtisë dhe industrisë. Kryebashkiaku Dako dhe delegacioni kroat kanë diskutuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-kroate në përgjithësi dhe në veçanti shkëmbimin tregtar, kulturor e artistik mes dy qyteteve të Durrësit dhe Rijekës. Kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është shprehur se ne kemi marrëdhënie të mira me Kroacinë, por tani ka ardhur koha që marrëdhëniet midis dy qyteteve tona të hyjnë në një stad të ri. Dako shtoi se ne duhet tu krijojmë lehtësira qytetarëve të të dy vendeve që dëshirojnë të kryejnë vizita të ndërsjellta në fushën e turizmit dhe më gjerë, ne mund të bëjmë promovimin e të dy porteve në qytetet tona dhe më pas biznesi të veprojë duke parë fushat që kanë më shumë interes nga pikëpamja tregtare. Dako shtoi se ne kemi mundësi të zhvillojmë më tej marrëdhëniet kulturore, artistike e sportive, me nxënës shkollash që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre apo trupat e teatrit apo ansambleve. Delegacioni kroat në takimin me kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako ka propozuar vendosjen e një trageti pasagjerësh dhe mallrash që të bëjë linjën direkt Durrës-Rijeka dhe anasjelltas. Duke qenë se Kroacia është anëtare e BE-së mund të përfitojë fonde për rimbursimin e këtij lloj transporti. Ambasadorja kroate shtoi se dëshirojmë që të zbatojmë edhe një projekt tjetër që lidhet me pastrimin e detit në rast të një ndotje të mundshme. Platforma për pastrimin e detit nga ndotja mundësohet nga PNUD dhe në qytetin e Rijekës është një agjenci e specializuar që merret me këtë gjë. Kryebashkiaku Dako i ka mirëpritur të dy projektet duke i vlerësuar ato për një bashkëpunim më të mirë mes dy qyteteve, ndërsa shtoi se projekti për vendosjen e një trageti që të lidhë dy qytetet është shumë pozitiv nëse BE do të garantojë subvencionin e kësaj linje pasi fillimisht do të ketë një fluks të ulët udhëtarësh dhe mallrash. Delegacioni kroat i ka dorëzuar edhe ftesën kryebashkiakut Dako për të vizituar qytetin e Rijekës në një kohë sa më të shpejtë.​