Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetet e zhvilluara me rastin e festës së Ishmit. Kjo festë përmblidhte tri ngjarje të rëndësishme në historinë e Ishmit por edhe të gjithë Durrësit siç është 100 vjetori i lindjes së piktorit të shquar Ibrahim Kodra “Nderi i Kombit”, 105 vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe të qarkut Durrës dhe 75 vjetori i krijimit të çetës partizane të zonës. Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe prefekti i Durrësit Roland Nasto, deputeti i zonës Fidel Ylli, drejtoresha e DAR Lindita Muka, përfaqësues të shoqatës së veterenavë, piktorë e skulptorë të njohur si dhe qindra banorë të njësisë administrative të Ishmit. Fillimisht kryebashkiaku Dako dhe të ftuarit e tjerë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në varrin e pikorit të madh Ibrahim Kodra, figura më e rëndësishme e pikturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Më pas me rastin e 75 vjetorit të krijimit të çetës partizane të Ishmit janë zhvilluar homazhe edhe në lapidarin ku përkujtohen dëshmorët e kësaj zone që ranë për çlirimin e vendit. Aktivitetet kanë vijuar në shkollën e mesme të bashkuar “Rexhep Mezini” ku është çelur shkolla e parë shqipe për gjithë qarkun e Durrësit. Në këtë ceremoni të ftuarit që e kanë marrë fjalën kanë evidentuar vlerat e larta arsimore, kulturore dhe patriotike të zonës së Ishmit me të cilat krenohet i gjithë Durrësi. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se nderimi ynë në këtë ditë përshkon një shekull lartësimi arsimor e kulturor dhe qëndrese shqiptare: “Tri ngjarje të mëdha na kanë bashkuar në solemnitetin e ditës së sotme. Nderojmë tri ngjarje të pandashme të historisë sonë: 105 vjetorin e shkollës së parë shqipe të Durrësit që ndodhet pikërisht në Ishëm, figurën më të rëndësishme të pikturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të XX, nderin e kombit Ibrahim Kodra në 100 vjetorin e lindjes dhe 75 vjetorin e çetës së parë partizane të Ishmit. Këto tri ngjarje që përkujtojmë sot, ndërlidhin gjithçka ka pasur më të vyer Durrësi, Ishmi dhe gjithë këto anë me tradita të rralla: dëshirën për arsim e dije, antifashizmin si kryevlerë morale mbi të cilën është ndërtuar paqja dhe rendi botëror dhe shkëlqimin e origjinalitetit të veprës së Kodrës, fenomen evropian që u ngrit mbi traditën shqiptare. Nderimi ynë në këtë ditë përshkon një shekull lartësimi arsimor e kulturor dhe qëndrese shqiptare. Në botën e sotme shumë gjëra lindin e shuhen shpejt, janë dukuri rastësore, por shkolla, kultura dhe sfidat ndaj totalitarizmave të çfarëdo ane janë nyja të forta historike, që qëndrojnë përmbi kohërat. Prandaj bashkojmë homazhin tonë për mësuesit dhe nxënësit së shkollës së parë shqipe; për luftëtarët antifashistë që sdo t’u errësohen kurrë meritat dhe për piktorin Ibrahim Kodra, të fundmin e traditës se Picaso-s ne Evropë, një emër që është kthyer në referncë për historinë e arteve figurative evropiane, tashmë të rikthyer me denjësi në atdheun e vet. ”Më pas kryebashkiaku Dako i ka dhënë titullin “Mirënjohje e Qytetit” shkollës së mesme të bashkuar Rexhep Mezini Ishëm me motivacionin “Si një ndër vatrat më të shquara të arsimit në Durrës që ka dalluar me përgatitjen, shkollimin dhe edukimin e brezave të tërë nxënësish me vlerat më të larta qytetare dhe patriotike. Po kështu kryebashkiaku Dako dhe të ftuarit e tjerë kanë vizituar edhe një ekspozitë fotografike e përgatitur enkas për festën e Ishmit nga studentët e pikturës së universitetit të arteve nën drejtimin e piktorit të mirënjohur shqiptar Gazmend Leka. Po kështu edhe nxnësit e shkollës kishin përgatitur një koncert festiv.